Qeveria e Kosovës në prezantimin e Pakos së re të Ringjalljes Ekonomike nga pandemia COVID-19 ka thënë se pritet të ndahen 50 milionë euro për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.
Sipas njoftimit, 10 milionë euro janë ndarë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021.
“10 milionë euro, Qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 – prill 2021. Për çdo të ri të punësuar, Qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, 10 milionë euro janë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në tre muajt e fundit e që deklarohet në Administratën Tatimore të Kosovës. Ndërsa, 10 milionë euro për punësimin e të rinjtë të moshave 18-24 vjeç.
Pjesa tjetër prej 20 milionë eurove do të ndahen për punësimin e grave, e personave me nevoja të veçanta, për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në teknologji informative dhe për skemën e granteve për zanatet.
Ditë më parë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati kishte prezantuar këtë Pako, e cila kap vlerën prej 420 milionë euro.
Mjetet e ndara nga buxheti për financimin e kësaj pakoje janë 190 milionë euro, ndërsa 230 milionë euro vijnë nga huamarrja.
“Kjo Pako ka potencial të mobilizojë edhe rreth 700 milionë euro të tjera, pra në total 1.1 miliard euro investime dhe shpenzime nga buxheti i shtetit por edhe grante, kapital privat, dhe mobilizim të mjeteve nga sektori financiar”, kishte thënë Murati.
Përveç mbështetjes së punësimit, kjo pako përfshinë edhe ringjalljen e ekonomisë dhe prodhimit me vlerë 108 milionë euro, mbështetjen për familjet me vlerë 50 milionë euro, mbështetja për ndërmarrjet publike me vlerë 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient me vlerë 100 milionë euro. /Telegrafi/