Qeveria Kurti 2 pritet që të votohet pasditen e së hënës, ndërkaq janë caktuar tashmë edhe emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar.
Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti është deklaruar para mediave para votimit të Qeverisë së Kosovës dhe ka konfirmuar se tashmë është bërë caktimi i ministrave, transmeton Telegrafi.
“I di emrat e ministrave, së shpejti i merrni vesh edhe ju”, tha shkurtimisht ai.
Pas seancës për konstituimin e Kuvendit, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka kërkuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer letrën me propozimin për kryeministër ushtruesit të detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca.
Burime të Telegrafit brenda LVV-së kanë bërë të ditur që letra i është kthyer Konjufcës, ndërkaq është konfirmuar se sot do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeministrit.
Disa nga emrat të cilët janë përmendur për pozitat e ministrave janë:
Zëvendëskryeministër pritet të emërohet Besnik Bislimi,
Ministrinë e Punëve të Jashtme pritet ta drejtojë Donika Gërvalla,
Ministrinë e Punëve të Brendshme, Xhelal Sfeçla,
Ministrinë e Arsimit, Arbërie Nagavci,
Ministrinë e Shëndetësisë pritet ta udhëheq Arben Vitia,
Ministrinë e Bujqësisë pritet ta udhëheqë Faton Peci,
Ministrisë e Kulturës Hajrullah Çeku,
Ministrinë e Drejtësisë pritet ta udhëheqë Albulena Haxhiu,
Ministrinë e Financave pritet ta udhëheqë Hekuran Murati,
Ministrinë e Tregtisë pritet ta drejtojë Rozeta Hajdari,
Ministrinë e Mjedisit pritet ta udhëheq Liburn Aliu,
Ministrinë e Pushtetit Lokal, Emilija Rexhepi.
Nuk dihet ende se kush do të jetë ministri i Mbrojtjes, e po ashtu nuk dihet nëse do të ketë Lista Serbe post ministror. /Telegrafi/