Telegrafi

OVL e UÇK-së protestë të enjten: Miratuat Projektligjin për Pagën minimale të rrethuar me forca policore

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës reagoi sot pas miratimi në Kuvend të Projektligjit për pagën minimale.

OVL e UÇK-së thekson se Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale.

“Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1 ‘deri në kategorimin përfundimtar të listës së  Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik”, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale.

Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30.

Dalja sa më masive në protestë, nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/