Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se i është anuluar leja për ulje në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me aeroplanin e tij.
Pacolli ka thënë se anulimi i lejes është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës për të lëvizur, transmeton Telegrafi.
“Anulimi i lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, ka shkruar ai në Facebook.
Pacolli edhe më herët ka reaguar lidhur me kthimin e tij në Kosovë dhe qëndrimin për 14 ditë në karantinë.
Kreu i AKR-së, ka thënë se ajo çfarë po ndodhë është tronditëse për të, duke shtuar se ai po pengohet të kthehet në Kosovë nga një Qeveri të cilën ai e ka votuar.
“Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët”, kishte thënë ai./Telegrafi/