Site icon Telegrafi

Pacolli për situatën pandemike: Për realitetin e ri në Kosovë duhet të na udhëheq një qeveri legale dhe e përgjegjshme

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Fitore Pacolli ka folur për situatën pandemike në Kosovë, e cila tha se Qeveria aktuale e Kosovës është para një kolapsi shoqëror e shëndetësor që erdhi si pasojë e hapjes totale të institucioneve dhe bizneseve, e që sipas saj është në shpërputhje të plotë me planin e hapjes graduale në përputhje dhe me rekomandim të ekspertëve shëndetësorë që kishte filluar ish-Qeveria Kurti.

Pacolli në një konferencë për media tha se hapja totale pa krijimin e kushteve dhe adaptimin me normalitetin e  ri, ndikoi në shtimin e shumëfishtë të të infektuarve dhe viktimave.

“Ajo që duhet të kuptoj qeveria ilegale është që pandemia do të jetoj me ne gjatë.   Nuk është as zgjidhje vazhdimi i politikave para situatës pandemike, por duhet kreativitet dhe politika të reja  sociale, qasje dhe sjellje e re”, ka thënë ajo.

Pacolli gjithashtu u shpreh se situata aktuale pandemike në Kosovë, kërkon politika të përgjegjshme dhe të mira, përcjell Telegrafi.

“Pandemia ka vënë në pah rëndësinë e  sistemit social për nevojat e tyre sociale. Një pjesë e qytetarëve të zhytur në kredi ndjehen të pasigurte. Gratë dhe familjet pa të ardhura dhe me të ardhurat të ulëta janë prek më së shumti”, shtoi ajo.

Tutje deputetja Pacolli theksoi se një qeveri e përgjegjshme duhet të siguroj mbrojtjen shëndetësore edhe për moshën e shtyrë.

“Arsyetimi i lehtë për viktimat që kanë pësuar me COVID-19, se ishin në moshë ka vënë në pah një të vërtet të hidhur. Mbrojtja e tyre është e domosdoshme dhe urgjente”.

Ajo po ashtu foli edhe çerdhet e shkollat, ku sipas saj një qeveri e përgjegjshme duhet të mundësoj dhe ndihmoj hapjen e të gjitha çerdheve si dhe qendrat e qëndrimit ditor.

“Duhet një riorganizim i shpejt dhe adaptim i shkollave ekzistuese për të filluar punën në kushte të reja”, potencoi Pacolli.

Ajo kërkoi po ashtu prezantimin e një plani konkret nga një qeveri e përgjegjshme për kushtet dhe mbrojtjen e personelit shëndetësor.

“Një qeveri e përgjegjshme do duhej të prezantohet me një plan konkret për mbrojtjen e personelit shëndetësor dhe punëtorëve në shërbim. Kushte më të mira do të thotë ofrimi i shujtave të pasura ditore nga një qeveri e përgjegjshme. Qeveri e përgjegjshme do duhej t’iu dilte në ndihmë qytetarëve edhe për sigurimin e maskave. Kjo qeveri ilegale dhe jo legjitime nuk mund të na udhëheq në një realitet të ri”, tha ndër të tjera, Fitore Pacolli. /Telegrafi/

Exit mobile version