Lider i Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, ka folur rreth ultimatumit të cilin ai e kishte dhënë ditë më parë.
Në një prononcim për “Gazeta Blic”, Pacolli tha se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë filluar takimet intensive. Mirëpo kjo, sipas tij, nuk mjafton që të arrihet marrëveshja për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse siç ka propozuar ai.
“LDK dhe VV kanë filluar takimet intensive, atë që unë e kam kërkuar gjithmonë, por kjo nuk mjafton që të arrihet mundësia e formimit të një qeverie gjithëpërfshirëse, atë që unë po e shoh si të vetmen mundësi për të evituar zgjedhjet”, ka thënë Pacolli.
Në anën tjetër, kujtojmë se tanimë po bëhen tetë ditë nga deklarata e Pacollit i cili ka kërkuar nga VV e LDK t’i intensifikojnë takimet për arritjen e një marrëveshje. Nëse LDK e VV nuk merren vesh, ai do të ndërmarrë hapa të tjerë duke lënë të hapur mundësinë që t’i bashkohet edhe koalicionit PDK-AAK-NISMA.