Telegrafi

Pacolli kërkon nga Thaçi dhe Kurti që ta ndalin presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese

Foto: Arkiv

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që ta ndalin presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese, lidhur me vendimin që kjo Gjykatë pritet të marrë për mandatarin.

Pacolli ka pohuar se Gjykata Kushtetuese është një organ i lartë dhe i pavarur, dhe nuk guxon të ndikohet nga askush, transmeton Telegrafi.

“Shoh shumë deklarata dhe spekulime politike nga të gjitha anët, në lidhje me vendimin e radhës të Gjykatës Kushtetuese. Kjo duhet të ndalet. Kjo vlen për të gjitha palët që tentojnë të ndikojnë, veçanërisht për Presidentin dhe Kryeministrin në detyrë. Gjykata Kushtetuese është një organ i lartë dhe i pavarur dhe nuk guxon të kërcënohet apo të ndikohet nga askush. Është tepër e rëndësishme që të respektohet pa marrë parasysh cili do të jetë vendimi”, ka shkruar Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Kreu i AKR-së, ka shtuar më tej se është tepër e rëndësishme të respektohet Gjykata Kushtetuese, pa marrë parasysh se cili do të jetë vendimi.

“Unë, si President i vendit, e pata bëra këtë pa zhurmë fare. Ky shembull duhet të ndiqet edhe nga të tjerët”.

Ndryshe, mbrëmë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka reaguar ndaj diskursit publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike.

Gjykata përmes një reagimi publik ka thënë se Thaçi dhe Kurti, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re. /Telegrafi/