Site icon Telegrafi

Pacienti shqiptar plagos me thikë infermieren greke, vret veten duke u hedhur nga kati i 5-të i spitalit

Një pacient shqiptar i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga një spital i Athinës.

Ndërsa motivet ende nuk janë qartësuar, mësohet se episodi tragjik u regjistrua të hënën rreth orës 5:20 të mëngjesit.

59-vjeçari i identifikuar nga policia si Petro Çako po trajtohej në repartin e kardiologjisë në spitalin “Atikon”, kur papritur sulmoi fizikisht infermieren e turnit duke i lënë plagë me mjete prerëse dhe me grushte.

Sipas dëshmitarëve dhe presidentit të federatës së mjekëve, Mikalis Janakos, pacienti ishte në gjendje të rënduar psikologjike edhe pse më herët nuk kishte shfaqur shenja agresiviteti.

“Pacienti ndodhej në katin e parë në repartin e kardiologjisë. Sinjalizoi për ndihmë dhe kur infermierja hyri në dhomë, ai, i fshehur pas derës, nxori një thikë kuzhine dhe nisi ta godasë në qafë dhe me grushte. Pastaj hipi në katin e pestë të spitalit dhe kreu vetëvrasje duke u hedhur”, tha Janakos.

Infermierja e plagosur, nënë e dy fëmijëve, ndodhet jashtë rrezikut për jetën por në gjendje serioze për shkak të plagëve të marra në kokë dhe në shpinë.

Ndërkaq shtetasit shqiptar pas hedhjes nga godina iu dha ndihmë urgjente por nuk mundi të mbijetojë.

Policia vijon hetimin e ngjarjes ndërsa spitali i kryeqytetit dhe ministri grek i Shëndetësisë shprehën keqardhje për incidentin.

59-vjeçari Petro Çako planifikohej të dilte nga spitali dy ditë më vonë pas realizimit me sukses të operacionit në zemër një javë më parë. /Ora News/

Exit mobile version