Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka reaguar zv/kryeministrit Besnik Bislimi në lidhje me deklaratat e tij se hapja e arkivave të Serbisë dhe atyre të Kosovës do t’i shkonte në favor vendit tonë.
Një postim në Facebook, sekretari i kësaj organizate Faton Klinaku, ka thënë se nëse arkivat e UÇK-së kanë qenë të hapura gjithëherë sepse në to siç thotë ai s’ka çka fshehet.
Tutje, sipas Klinakut, nëse Bislimi është marrë vesh me Serbinë për hapjen e arkivave, atëherë është njëjtë si të pajtohesh se “Kosova është krahinë e Serbisë”.
“Arkivat e UÇK-së kanë qenë të hapura, janë poashtu të hapura sepse nuk ka çka fshehet në to. Ato janë histori që i duhen shtetit të Kosovës. Ka eksponate të luftës, të dëshmorëve e luftëtarëve në muzeun e Kosovës. Nëse është e vërtetë që zv.Kryeministri i Kosovës paska diskutuar dhe qenka marrë vesh me Serbinë që të “hapen” edhe arkivat e UÇK-së, është njëjtë sikur të pajtohesh se Kosova është Krahinë e Serbisë”, ka shkruar Klinaku.
Më herët pati reagime edhe nga Parita Demokratike e Kosovës.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka pyetur zv.kryeministrin se për cilat arkiva e ka fjalën.
“Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën? Arkivat e Beogradit për UÇK-në? Ato tashmë janë në Hagë. Arkivat e Kosovës për UÇK-në? Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në?”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka thënë se kjo është një grackë e rrezikshme me pasoja të frikshme./Telegrafi.