Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani mëngjesin e sotëm ka vizituar shtatoren e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Kryeparlamentarja gjatë vizitës ka vënë maskën me flamurin e Dardanisë, që është simbol i Lidhjes Demokratike të Kosovës, transmeton Telegrafi.
Osmani më herët kishte thënë se gjatë angazhimit të saj në politik, e ka pasur gjithmonë referencë ish-presidentin Ibrahim Rugova.
Ndryshe, Osmani muaj më parë është shkarkuar nga pozita e nënkryetares së LDK-së dhe nga pozita e anëtares së kësaj partie.
Ndërkohë, Osmani kishte pohuar se është pa parti politike dhe se nuk mendon t’i bashkohet asnjë partie.
“LDK-ja ku jam rritur ma ka mbyllur çdo derë dhe tash ajo angazhohet në një fushatë denigruese dhe përdorin gjuhë të turpshme. Unë duhet t’i shqyrtoj mundësitë e mia për angazhim politik, por jo të aderoj në një parti tjetër, por të shikohet nëse ka mundësi të krijohet një parti e re”, kishte thënë Osmani.
Shkarkimi i Osmanit nga LDK, kishte ngjallur reagime të shumta./Telegrafi/