U.d e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 76 vjetorit të lindjes.
Osmani ka pohuar se në ditëlindjen e presidentit Rugova, kujtojnë personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Në ditëlindjen e themeltarit të shtetit, Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtuam personalitetin e jashtëzakonshëm historik, dijetarin e shquar të Kosovës e politikanin humanist, vizioni i të cilit i parapriu shtetësisë së Kosovës”, ka shkruar Osmani në profilin e saj zyrtar në Facebook.
Osmani ka shkruar tutje “Tri postulatet e tij na dëshmojnë e rikujtojnë se pavarësia është e plotë nëse janë të plota liritë njerëzore, se liria është e përhershme dhe e qëndrueshme vetëm nëse shoqëria është demokratike dhe e përkushtuar ndaj vlerave të saj dhe nëse respektohet rendi dhe ligji e nuk bashkëpunohet me krimin. I përjetshëm kujtimi për të”. /Telegrafi/