Anëtarë të Kryesisë dhe deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kanë përkujtuar sot ish kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyqin.
Përmes një shkrimi në në Faceboook, kandidatja për kryeministre nga LDK, Vjosa Osmani, ka thënë se Ukë Bytyqi ishte atdhetar i pashoq në rezistencën e popullit të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi.
“Sot nderuam Ukë Bytyqin, i cili u vra pabesisht 17 vjet më parë, së bashku me dy përcjellësit e tij, Bafti Bajrami e Bajram Bytyqi. Ukë Bytyqi ishte atdhetar i pashoq në rezistencën e popullit të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi.
Vepra e tij dhe e bashkëveprimtarëve të tij që u vranë pabesisht në kohë lirie, do të mbesin udhërrëfyesi ynë i përjetshëm. Kujtimi për ta do të mbetet gjithmonë i gjallë, ndërkaq dhimbja e familjeve të tyre do të mbetet mallkimi i përhershëm për të pabesët që kryen këtë vrasje makabre dhe të gjitha vrasjet e tjera politike”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ukë Bytyqi u vra më 27.10.2002 në Leshan të Suharekës, derisa bashkë me aktivistë dhe drejtues të Degës së LDK-së po kremtonin fitoren e zgjedhjeve lokale. /Telegrafi/