Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier me të cilin bisedoi për zhvillimet e fundit në vend si dhe tema të tjera të interesit të përbashkët.
Sipas njoftimit për media thuhet se në takim u diskutua edhe për të rejat e fundit nga procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Presidentja Osmani theksoi se Kosova është treguar vazhdimisht palë konstruktive, ndërsa Serbia vazhdon me qasjen selektive që pamundëson zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit”, thuhet në njoftim.
Osmani gjithashtu theksoi se propozimi për draft-statutin e Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Presidentja Osmani nënvizoi edhe njëherë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me SHBA-të për të arritur progres në procesin e dialogut. /Telegrafi/