Telegrafi

Osmani takohet me përfaqësues të QUINT-it dhe BE-në, flasin për zgjedhjet e parakohshme

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shteteve të Quint-it dhe të BE-së.

Siç njofton presidenca, në këtë takim, u.d. presidentja Osmani theksoi se mbrojtja e integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor është qëllimi kryesor i institucioneve të vendit, duke garantuar kështu jetësimin e vullnetit qytetar të shprehur përmes votës së lirë.

“Osmani potencoi rëndësinë e përfshirjes së vëzhguesve ndërkombëtar në monitorimin e procesit zgjedhor, ndaj në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e QUINT-it dhe të BE-së”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje në njoftim thuhet se përfaqësuesit e Quint-it dhe të zyrës së BE-së shprehën mbështetjen e tyre për institucionet e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta e paqësore.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare do të mbahen më 14 shkurt./Telegrafi/