Telegrafi

Osmani takohet me ambasadorin norvegjez: Prioritet mbetet menaxhimi i pandemisë dhe sigurimi i vaksinave për të gjithë qytetarët

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl.

Siç thuhet në njoftimin e bërë nga presidenca,  ambasadori norvegjezi e ka uruar për detyrën Osmanin dhe ka konfirmuar përkushtimin e Norvegjisë për bashkëpunim dhe përkrahje të mëtejme, transmeton Telegrafi.

“Grondahl ka shprehur gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit edhe në projekte të reja, në dobi të qytetarëve dhe institucioneve të Republikë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Tutje, në njoftim thuhet se Presidentja Osmani ka falënderuar ambasadorin e Norvegjisë për bashkëpunimin dhe përkrahjen të cilën shteti norvegjez ka ofruar për Republikën e Kosovës ndër vite.

“Osmani ka potencuar se prioritet kyç mbetet menaxhimi me pandeminë COVID-19, duke theksuar rëndësinë e sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës për të gjithë qytetarët e vendit”, vijon njoftimi.

Presidentja Osmani dhe ambasadori Grondahl kanë diskutuar për thellim të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve në fushën e energjisë dhe turizmit. /Telegrafi/