Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, është takuar të martën e 7 shkurtit me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë takimit të mbajtur ata janë dakorduar për përmirësim të bashkëpunimit, me fokus te zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore që mund të lidhin dy vendet.
Abazoviq përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, pas takimit me Osmanin është shprehur se Mali i zi po nxit bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon.
“Mali i Zi po nxit bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon. Vazhdojmë të udhëheqim politikën e fqinjësisë së mirë dhe të mbajmë fokusin në zhvillim ekonomik dhe projekte infrastrukturore që do të na lidhin edhe më mirë. Sot me shumë kënaqësi pritëm Vjosa Osmanin, Presidente e Kosovës, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë”, ka shkruar Abazoviq.
Nga ana tjetër, në takim me Kryeministrin Abazoviq, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë.
Presidentja Osmani tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej.
Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.
Presidentja Osmani tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është me rëndësi për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim, ndaj ritheksoi rëndësinë e mbështetjes nga Mali i Zi./Telegrafi/