Telegrafi

Osmani së bashku me ish-presidentët nderojnë Ibrahim Rugovën, e quajnë arkitekt të shtetit dhe bashkues të popullit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani së bashku me ish-presidentët Atifete Jahjaga, Fatmir Sejdiu e Behgjet Pacolli ka vendosur kurora lulesh te shtatorja e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, me rastin e 24 majit – Ditës së Presidentit.

Osmani u shpreh se kjo ditë ishte shpallur si e tillë nga presidenti historik Ibrahim Rugova.

“Sot është Dita e Presidentit e shpallur si e tillë nga presidenti Ibrahim Rugova. Sot jam e nderuar që së bashku me ish-presidentët e filluam ditën duke e nderuar arkitektin e shtetit tonë, njeriun i cili bëri bashkë popullin e Kosovës. 24 maji është ditë e rëndësishme, sepse tri dekada më herët qytetarët treguan se cili ishte vullneti i tyre, treguan se nuk do të ketë asgjë që mund ti ndalë në rrugën e tyre të drejtë për shtet të pavarur”, u shpreh Osmani.

Osmani theksoi se kjo ditë na kujton jo vetëm historinë por edhe të sotmen dhe rëndësinë e një institucioni të tillë në përfaqësimin e unitetit të popullit, në sigurimin e funksionimit kushtetues të institucioneve të vendit

“Si presidente për mua është me rëndësi që këtë ditë ta përkujtojmë e në veçanti arkitektin e shtetit tonë së bashku me titullarët e këtij institucioni në faza të ndryshme të historisë sonë”, tha Osmani.

Në anën tjetër ish-presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se 24 maji është një nga ngjarjet e rëndësishme, nga ajo që është zhvilluar në vitin 1992 ku ishin zgjedhjet e para presidenciale.

“Presidenti historik Ibrahim Rugova është ikonë e pashembullt në të gjitha epokat, ne duhet ta kujtojmë me pietet peshën e vendimeve të tij, dhe vizionit të tij. Kjo ditë simbolike shënon një kërkesë, një mesazh për të treguar botërisht se që nga ajo kohë Kosova ka ndërtuar institucionet e veta”, tha Sejdiu.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga shtoi se secili president ka udhëhequr me Kosovën në etapa të ndryshme.

“Deri më tani Kosova ka pasur 6 president dhe secili nga ta me vizionin e vet ka udhëhequr me Kosovën në periudha të ndryshme kohore. Si udhëheqës të popullit secili president ka kontribuuar në udhëheqjen e disa proceseve. 24 maji është datë e veçantë sepse ne po përkujtojmë një figurë të rëndësishme presidentin historik të Kosovës. Presidenti Rugova ishte ai që udhëhoqi popullin e Kosovës në periudhat më të rënda”, tha Jahjaga.

E ish-presidenti, Behgjet Pacolli tha se Ibrahim Rugova meriton të kujtohet.

“Është një ditë që kujtojmë presidentin historik dhe veprën e tij. Ai ka dhënë shumë për këtë vend dhe demokraci dhe ia vlen gjithmonë ta kujtojmë me një manifestim simbolik”, tha Pacolli. /Telegrafi/