Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani priti në takim drejtuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës.
Theks i veçantë në takim është vënë në vendimin e AKK-së për gjobitjen e 14 kompanive të derivateve të naftës për çrregullim të konkurrencës në treg në muajt e fundit të vitit 2018.
“Vlerësoj çdo vendim tuajin i cili kontribuon në mbrojtjen e konkurrencës në treg. Profesionalizmi juaj dhe përmbushja e plotë e mandatit të kësaj agjencie ka ndikim të drejtpërdrejt dhe afatgjatë në sundimin e ligjit”, ka theksuar Osmani.
Në takim me zyrtarë të AKK-së, Osmani e trajtoi edhe çështjen e pretendimeve për monopol në sektorin e energjisë nga dielli.
Palët u pajtuan për komunikim të vazhdueshëm, teksa Osmani shfaqi gatishmërinë për mbështetje dhe angazhim aktiv të Kuvendit në trajtimin e të gjitha çështjeve të cilat janë në interes të qytetarëve dhe ndikojnë në ruajtjen e konkurrencës së shëndoshë në treg. /Telegrafi/