Telegrafi

Osmani i reagon Lajçakut: Kosova është dhe do të jetë gjithmonë një vend i pavarur, i pandashëm dhe sovran

Ushtruesja në detyrë e presidentes, Vjosa Osmani, ka reaguar për paraqitjen e emisarit special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak me një hartë në të cilën ‘’kthente’’ Kosovën pjesë të Serbisë.

Në një shkrim në Twitter, Osmani ka shkruar se kufijtë e Kosovës u shënuan me humbjen e mijëra jetëve të pafajshme nga regjimi gjenocid i Serbisë, dhe nuk mund të ketë neutralitet ndaj kësaj të vërtete.

“Republika e Kosovës është dhe do të jetë gjithmonë një vend i pavarur, i pandashëm dhe sovran. Kufijtë tanë u shënuan me humbjen e mijëra fëmijëve, grave dhe burrave, jetët e pafajshme të të cilëve u morën nga regjimi gjenocid i Serbisë. Nuk mund të ketë neutralitet ndaj kësaj të vërtete”, shkroi Osmani.

Ndërkaq, pas reagimeve të shumta, Lajçak ka thënë  se në zyrën e tij mban një hartë në të cilën Kosova dhe Serbia janë të ndara.

Lajçak ka thënë se janë nxitur keqkuptime të shumta rreth kësaj çështjeje dhe për këtë arsye, ai ka zgjedhur të publikojë disa fotografi të hartës që mban në zyrën e tij.

“Është një hartë zyrtare e BE-së, e Ballkanit Perëndimor. Kosova është aty dhe po ashtu është linja që e ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar Lajçak në Twitter, njofton Telegrafi.