Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur reagimin e saj ndaj deklaratës së Bashkimit Evropian që sugjeron se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të diskutohet në kuadër të dialogut me Serbinë.
Ajo theksoi se kjo çështje nuk duhet të bëhet temë e negociatave, duke e konsideruar një hap të tillë si një shkelje të rëndë të sovranitetit, integritetit territorial dhe kushtetutshmërisë së Kosovës.
“Vuçiq nuk ka çfarë të pyesë për hapjen e urave për qarkullim në Republikën e Kosovës,” deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se dialogu i vetëm që duhet të zhvillohet është ai brenda Kosovës, mes institucioneve vendase dhe partnerëve të sigurisë, sidomos me NATO-n.
Presidentja theksoi rëndësinë e ndërtimit të një plani të përbashkët për hapjen e urës për qarkullim, duke marrë parasysh vlerësimet e sigurisë dhe interesat e qytetarëve.
Bashkimi Evropian tha të entjen se autoritete e Kosovës se hapja e urës mbi lumin Ibër është çështje që duhet shtjelluar në kuadër të dialogut me Serbinë.
Lidhur me paralajmërimet e zyrtarëve qeveritar të Kosovës se po punohet drejt hapjes së urës mbi lumin Ibër, zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, thotë se Brukseli asnjëherë nuk i komenton paralajmërimet e veprimeve.
Ura mbi lumin Ibër e cila simbolizon ndarjen e qytetin të Mitrovicës, është e hapur vetëm për këmbësorë.
Në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë, ekziston marrëveshja e cila parasheh hapjen e saj edhe për trafik.
Sipas qeverisë së Kosovës, hapja e urës do të siguronte liri të lëvizjes për të gjithë.
Mirëpo, Bashkimi Evropian nuk mendon se duhet të shkohet drejt zbatimit të këtij plani, pa pëlqimin e Serbisë i cili duhet të vërtetohet në kuadër të procesit të bisedimeve./Telegrafi/