Site icon Telegrafi

Osmani: Qeveria sot bëri një hap para me pakon e re, tash radhën e kanë sindikatat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje sindikatave që ta shqyrtojnë pakon e re të cilën e prezantoi sot Qeveria, dhe t’i japin fund grevës.

Në një konferencë për media të mbajtur pas shumë takimeve që ka zhvilluar gjatë ditës lidhur me çështjen e grevës, Osmani tha se Qeveria me anë të kësaj pakoje e cila ndihmon qytetarët në përballimin e inflacionit ka bërë një hap para, ndërsa sipas saj, tashmë radhën e kanë sindikatat.

“Zgjidhja mund të arrihet vetëm me dialog e assesi me kushtëzime. Asnjë politizim s’duhet të lejohet mbi interesin e nxënësve. Ftoj të gjithë mësimdhënësit t’i hapin dyert e shkollave të hënën”, deklaroi ajo, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Qeveria nga ky muaj ndan 50 euro për punëtorët e sektorit publik, mbështetë edhe familjet me asistencë sociale dhe pensionistët

“Në secilin vend demokratik ka dialog mes institucioneve publike që menaxhojnë buxhetin e shtetit dhe sindikatave që përfaqësojnë punëtorët. Por, kur një palë bën një hap, pala tjetër duhet të bëjë hapin tjetër. Sot Qeveria ka bërë një hap me pakon e re. Është koha që sindikatat ta tregojnë një vullnet të mirë dhe t’i hapin shkollat të hënën”.

Tutje, Osmani theksoi se e drejta kushtetuese e fëmijëve për arsim nuk duhet të cenohet.

“Interesi i fëmijëve është parësor, ndaj mësimi duhet të fillojë menjëherë. Këtë përpjekje e kam ndërmarrë me qëllim që t’i inkurajojë të gjitha palët që të përfshihen në një dialog social. Si presidente  e çmoj kontributin që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin mësimdhënësit”.

“Kriza energjetike dhe ajo ekonomike padyshim se e kanë vështirësuar jetën e qytetarëve. Qeveria sot ka bërë publike masat që janë ndërmarrë. Vlerësoj se janë masa që ndihmojnë sektorë të ndryshëm Kërkoj nga sindikatat që ta shqyrtojnë këtë pako”.

Mes tjerash, ajo tha se zgjidhja afatgjate do të zgjidhet me Projektligjin e Pagave, i cili sipas saj, trajton dinjitetshëm mësimdhënësit. /Telegrafi/

Exit mobile version