Presidentja Vjosa Osmani, në takimin e liderëve rajonalë në samitin Brdo Brione në Slloveni, ka deklaruar se Kosova nuk do të heqë kurrë dorë nga aspiratat e saja për anëtarësim në familjen e madhe evropiane, duke thënë se nuk mund të ketë Evropë të lirë e të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.
E para e vendit tonë në fjalimin e saj ka bërë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që kanë kaluar katër vjet nga konfirmimi nga ana e BE-së se janë përmbushur të gjitha kriteret.
Osmani mos heqjen e regjimit të vizave e ka quajtur të padrejtë dhe diskriminues, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të realizojë premtimin e dhënë gjatë udhëheqjes së Presidencës Çeke këtë vit.
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Osmani akuzoi Serbinë për politika të dyfishta duke pretenduar të jetë mike e Rusisë dhe Evropës, duke cituar ish-presidentin Bill Clinton në vitin 1999 për zhvillimet në rajon: “Të hezitosh në momente kur ballafaqohesh me një agresor është e barabartë me aktin e të lejuarit për të vrarë”.
Osmani theksoi se lufta ilegale e Rusisë në Ukrainë po ndikon edhe në sigurinë e energjisë dhe ushqimit, të cilat mund të shndërrohen në një nga sfidat më të mëdha globale të shekullit 21.
“Ndërsa ditët bëhen më të ftohta dhe dimri po afron, mundësia e sfidave serioze me sistemet tona energjetike po bëhet kërcënim gjithnjë e më i madh. Kriza energjetike evropiane është reale dhe si e tillë duhet të shërbejë si shtysë për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e sigurisë ushqimore. Garantimi i furnizimeve dhe sigurimi i rezervave të mjaftueshme ushqimore për muajt e ardhshëm mund të shndërrohet lehtësisht në një nga sfidat më të mëdha globale të shekullit 21”, ka thënë ajo.
Osmani para liderëve rajonalë shfaqi gatishmërinë për organizimin e takimit të radhës së liderëve rajonalë në Kosovë, në frymën e avancimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mëtejshëm./Telegrafi/