I dërguar i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po qëndron për vizitë në Kosovë.
Gjatë ditës së sotme ai pritet të ketë takime me krerët e shtetit.
Telegrafi mëson se Escobar do të zhvillojë një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.
Takimi pritet të mbahet pasdite në zyrën e presidentes Osmani.
Ndryshe Escobar do të ketë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti, takim ky i cili gjithashtu do të mbahet pasdite vonë, mëson Telegrafi.
Përveç Escobarit, për vizitë në Prishtinë do të jetë edhe këshilltari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Vizita e Escobar dhe Chollet, vjen menjëherë pas asaj të emisarit të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçk, i cili qëndroi në Prishtinë e Begorad për tu takuar me krerët e dy shteteve.
Po ashtu, kjo vizitë vjen edhe disa ditë pas njoftimit të kryediplomatit evropian, Josep Borell, se Prishtinës dhe Beogradit u është dorëzuar teksti i përditësuar i të ashtuquajturit plan franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve. /Telegrafi/