Site icon Telegrafi

Osmani përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Kishinau të Republikës së Moldavisë, ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Presidenca njofton se Osmani ka udhëtuar me ftesë të Komunitetit Politik Evropian.

Siç bëhet e ditur, Osmani do t’i bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

“Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe takime me liderë të tjerë evropianë”, thuhet në komunikatën për media.

“Para liderëve të tjerë evropianë, Presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për integrimin euroatlantik të Kosovës si garanci për paqe të qëndrueshme në rajon dhe më gjerë”.

Gjatë takimeve bilaterale, Presidenca po ashtu njofton se Osmani do të diskutojë thellimin e bashkëpunimit për shtyrjen përpara të aplikimit të Kosovës për BE, çështje që lidhen me situatën e sigurisë në rajon, si dhe tejkalimin e sfidave të përbashkëta.

Komuniteti Politik Evropian është platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të Presidentit francez, Emmanuel Macron, e cila synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian./Telegrafi/

Exit mobile version