Telegrafi

Osmani për plagosjen në Shtërpcë: Akt i patolerueshëm, autori të vihet para drejtësisë

Akt të patolerueshëm e ka cilësuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sulmin ndaj dy qytetarëve në Shtërpcë.

Në reagimin e saj, Osmani ka kërkuar që autori të vihet para drejtësisë.

“Plagosja e të rinjve 11 dhe 21 vjeçar në Shtërpcë është akt i patolerueshëm, ndaj autori duhet të vihet para drejtësisë”, thuhet në reagimin e presidentes.

Tutje, ajo ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara maksimalisht që qytetarëve pa dallim etnie t`u ofrohet ambient i sigurt dhe i qetë.

“Të plagosurve ju dëshiroj shërim të shpejtë, ndërkaq ftoj organet e sigurisë që rastin ta trajtojnë urgjentisht e sipas ligjit”, thuhet tutje.

Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur këtë të premte në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje.

I dyshuari për këtë rast, A.K. i moshës 33 vjeçar, është identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Kosovës. /Telegrafi/