Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha sot në nivel institucional nuk ka asnjë arsye të mos takohet dhe përgjigjet institucioneve të vendit, duke aluduar kështu në presidentin Hashim Thaçi, por sipas saj në nivel të bashkëpunimit politik është botërisht e ditur që ka mospajtime të thella me mënyrën se si e bën politikën dhe e përfaqëson vendin.
Osmani në pyetjet e gazetarëve pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nuk u përgjigj nëse do të jetë në krye të Kuvendit në rast të formimit të qeverisë së re.
“Unë nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese… shpresoj shumë në integritetin profesional të këtyre gjyqtarëve… Në momentin që kemi përgjigje nga Gjykata Kushtetuese, gjithçka varet nga kjo”, tha kryeparlementarja, raporton Telegrafi.
Ajo duke folur për bashkëpunimin me krerët e institucioneve tha se bashkëpunimi ndërinstitucional pavarësisht opinioneve personale ndaj njëri tjetrit është tejet me rëndësi.
“Sa i përket raporteve me presidentin nuk ka pasur kërkesë nga ana e tij që të takohemi, ose bashkërendojmë ndonjë vendim, as për çështje të rëndësisë nacionale. Kur ka ftuar për konsultime lidhur me tema që janë të rëndësisë nacionale ka ftuar krerët e partive, por jo të institucioneve, më ka anashkaluar mua si kryetare të Kuvendit”, tha ajo.
Ndërkaq, për bashkëpunimin me Kurtin tha se ka shumë më pak mospajtime e shumë më shumë qëndrime të përbashkëta. “Këtë e dinë edhe zogjtë”, tha Osmani. /Telegrafi/