Site icon Telegrafi

Osmani pas takimit me veteranët: Do ta analizojmë Ligjin për pagën minimale dhe do të veprojmë sipas përgjegjësive

Presidenca e Kosovës është deklaruar pas takimit që presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar këtë të martë me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së: Organizatën e Veteranëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve.

Sipas njoftimit, ata i kanë adresuar shqetësimet e tyre në raport me përmbajtjen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, që u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Kosovës.

Lexo po ashtu OVL-UÇK i kërkojnë Osmanit mosdekretim të Ligjit për pagën minimale: Do të bllokojmë edhe Kuvendin

“Në takim me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Presidentja Osmani i ka njoftuar ata se Ligji për Pagën Minimale ende ndodhet në Kuvend dhe sapo të vjen në Presidencë do të trajtohet nga ana e ekspertëve ligjorë në Presidencë dhe në përputhje me kompetencat kushtetuese të institucionit të Presidencës”, thuhet në komunikatën për media.

Osmani ka theksuar se ky ligj do të analizohet nga Zyra e Presidentes dhe më pas do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese e ligjore të Presidentes dhe duke pasur parasysh rëndësinë e trajtimit të dinjitetshëm të këtyre kategorive.

“Në këtë takim, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prezantuan edhe disa nga sfidat me të cilat përballen këto kategori dhe u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin për trajtimin e tyre”, bëhet e ditur tutje.

Ndërkaq, përfaqësuesit e OVL e UÇK-së pas takimit me presidenten Osmani kanë deklaruar se do të shikojnë të gjitha rrugët ligjore që të parandalojnë hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale.

Kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, në një deklarim për media ka thënë se do të mbajnë protesta që të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version