Telegrafi

Osmani tregon detajet e takimit me Macronin dhe Scholzin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të  dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Siç njofton Presidenca, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.

“Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

Në takim me presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre.

Në kuadër të vizitës së saj në Moldavi, ajo e ka takuar edhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.

Lexo po ashtu Osmani nuk pranoi të takohet me Vuçiqin, reagon presidenti serb

Këtë takime ajo i ka zhvilluar në Kishinau të Moldavisë, ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

Ndërsa Osmani ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.

I pyetur se kur e pret një takim direkt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.

Ai theksoi se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. /Telegrafi/