Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kuadër të samitit të dytë të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kishinau të Moldavisë, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës franceze, Emmanuel Macron, Kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Siç njofton Presidenca, në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon. Presidentja Osmani ka ritheksuar se Kosova është e përkushtuar për ta vazhduar koordinimin me partnerët ndërkombëtarë për proceset në nëpër të cilat po kalon vendi.
“Presidentja ka potencuar se përpjekjet e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veriun e vendit po sfidohen nga struktura ilegale serbe të mbështetura nga Vuçiqi dhe të shndërruara në banda kriminale, të cilat kanë sulmuar Policinë e Kosovës, KFOR-in, teksa po vazhdojnë me sulme ndaj gazetarëve dhe qytetarëve”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Tutje, Presidentja Osmani ka thënë se veprimet e tilla synojnë destabilizimin e Kosovës dhe rajonit, duke theksuar se duhet një qëndrim unik kundërshtues nga ana e shteteve të BE-së kundrejt tendencave që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.
Në takim me presidentin Macron dhe Kancelarin Scholz, Presidentja Osmani ka rikonfirmuar qëndrimin parimor të Kosovës për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe Ohër në tërësinë e tyre.
Në kuadër të vizitës së saj në Moldavi, ajo e ka takuar edhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për përpjekjet tona të përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet”.
Këtë takime ajo i ka zhvilluar në Kishinau të Moldavisë, ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Ndërsa Osmani ka refuzuar të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk ka dashur të takohet me delegacionin serb në samitin e Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau – ku Kosovën po e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
I pyetur se kur e pret një takim direkt me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ai tha se nuk e di.
Ai theksoi se ulja e tensioneve në veri të Kosovës dhe vendosja e garancive për shmangien e veprimeve unilaterale ishin temat kryesore gjatë takimeve të tij me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. /Telegrafi/