Zv.kryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, sot ishte nikoqir i Komitetit të tretë të përbashkët të RM-së dhe Malit të Zi, i cili u mbajt në Shkup, në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim mes dy Qeverive në procesin e integrimeve evropiane, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Osmani në konferencë për shtyp ka shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy vendeve, në veçanti faktin që përmes këtij Komitetit të përbashkët, krijohet bazë e këmbimit të përvojave dhe njohurive të fituara, që kanë ndikim në avancimin e procesit euro-integrues në gjithë rajonin.
”Maqedonia, për shembull, e para në rajon i’u qas procesit për Stabilizim dhe Asocim, që në vitin 2001, kurse në periudhën në vazhdim kishte progres të fuqishëm në aderimin kah BE. Përvojat tona i ndanim me të gjitha vendet e rajonit mes të cilave gjithsesi ishte edhe Mali i Zi. Sot, pas një periudhe më të gjatë ngecjeje në progresin kah BE, përvojat e Malit të Zi, si vend i cili ka hapur dhe me sukses po përparon në negociatat me BE-në, pa dyshim paraqet një përfitim të rëndësishëm, si për Maqedoninë, ashtu edhe për vendet tjera-aspiruese të rajonit”, ka theksuar Osmani.
Në takim u hapën edhe tema më të gjëra rreth bashkëpunimit rajonal, në veçanti në kontekst të bashkëpunimit rajonal në kuadër të fondeve të BE-së, por edhe iniciativat e tjera siç janë procesi i Berlinit, iniciativa për bashkëpunim ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, etj.
Qëllimi i këtyre takimeve është këmbimi i përvojave midis dy vendeve rreth procesit të integrimit evropian. /Telegrafi/