Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar sot emisarin evropian për dialogun Miroslav Lajçak, se çfarëdo marrëveshje përfundimtare që do të mund të arrihet me Serbinë dhe e cila nuk është e pranueshme për Kuvendin, do të mbetet e pa ratifikuar dhe rrjedhimisht e pazbatueshme.
Ajo theksoi nevojën për konsensus të brendshëm të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.
Në këtë kontekst, kryetarja Osmani ka thënë se sistemi kushtetues i Kosovës dhe unitariteti i vendit janë të pacenueshëm dhe nuk duhet të jenë pjesë e negociatave.
Osmani i ka thënë të ngarkuarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, për Asociacionin duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe se nuk duhet lejuar bosnjizimi i Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t’i bëjë presion Serbisë për t’i zbatuar marrëveshjet e deritashme me Kosovën dhe t’i ketë parasysh deklarimet me gjuhën e urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.
Ajo, në veçanti ka kërkuar që BE-ja të dënojë ashpër dhe qartë deklarimet lidhur me fshehjen e varrezave masive në Serbi dhe gjithashtu të kërkojë veprime konkrete nga pala serbe për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. /Telegrafi/