Site icon Telegrafi

Osmani në takimin me të dërguarin britanik: Anëtarësimi i Kosovës në KiE do të ishte triumf për demokracinë 

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në takimin me të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach ka thënë se anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, si dhe mbi sfidat e sigurisë në rajon dhe përtej.

“Anëtarësimi i Kosovës do të ishte triumf për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut jo vetëm në Kosovë, por në mbarë Evropën”, citohet të ketë thënë presidentja.

Tutje, Osmani ritheksoi se përmes mekanizmave të ndryshëm që i ofron Këshilli do të mundësohej mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim.

Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen dhe ritheksoi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në këtë drejtim, sikurse në çdo proces tjetër të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version