Telegrafi

Presidenti gjerman pas takimit me Osmanin: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në BE e Këshill të Evropës, vendi t’i krijojë kushtet

Presidenti i  Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka pritur sot në takimin Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti gjerman në një postim në Facebook ka njoftuar për takimin me presidenten e Kosovës, gjersa thekson se Gjermania mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, por se vendi duhet të punojë për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë.

“Presidenti Federal Steinmeier priti sot në Berlin Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjermania është shumë e prirë për stabilitetin e rajonit dhe mbështet anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës, theksoi presidenti në bisedë.

Vendi duhet të punojë për të krijuar kushtet e nevojshme për këtë”, shkruan presidenti gjerman.

Lidhur me takimin ndërmjet Steinmeier dhe presidentes Osmani ka njoftuar edhe Presidenca e Kosovës.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se diskutimet u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor si dhe avancimin e integrimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën në procesin e lirisë dhe shtetndërtimit, por edhe në rrugën euroatlantike.

“Kosova dhe Gjermania kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm të bazuar në vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe progresit. Gjermania është aleate strategjike në rrugëtimin e Kosovës drejt fuqizimit dhe integrimit ndërkombëtar, ndaj presim që ta forcojmë edhe më tej këtë partneritet në vitet në vijim”, ka theksuar presidentja Osmani.

Procesin e Berlinit, Presidentja Osmani e ka cilësuar shtysë e fuqishme për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces. /Telegrafi/