Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi sot se në takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, kanë diskutuar edhe për Manastirin e Deçanit.
Në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë pas vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Osmani tha se për këtë çështje kanë diskutuar vetëm në kuadër të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa, e pyetur se a është diskutuar për Ballkanin e Hapur dhe nëse sekretari Blinken e mbështetë këtë iniciativë rajonale, ajo tha se këtë çështje nuk e kanë përmendur fare.
“Sa i përket Hallkanit të Hapur, në takim me sekretarin Blinken – kjo temë nuk është përmendur fare. Ndërsa, sa i përket Manastirit të Deçanit kjo temë është shtruar në kontekstin që është shtruar edhe më herët nga pala amerikane, pra në kontekstin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ajo.
Osmani: Në SHBA morëm mbështetje për sovranitetin e vendit dhe rritjen e njohjeve
Tutje, Osmani tha se administrata amerikane ka rikonfirmuar se dialogu mes Kosovës e Serbisë duhet të jetë i përqendruar te njohja e ndërsjellë.
Ajo bëri të ditur se gjatë takimit me Blinken është biseduar edhe për rritjen e njohjeve të Kosovës dhe hapat për anëtarësim në Partneritetin për Paqe të NATO-s. /Telegrafi/