Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është duke qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara.
Osmani në New York ka takuar edhe presidentin e Malawit, derisa ka shtuar se përkushtimi i dy vendeve për të thelluar bashkëpunimin mbetet i palëkundur, transmeton Telegrafi.
“Në New York, takova edhe Presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera. Pavarësisht distancës midis shteteve tona, përkushtimi për ta thelluar bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve tanë, mbetet i palëkundur”, shkruan Osmani në Facebook.
Tutje, presidentja ka shtuar se “Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës”.
Ndryshe, presidentja Osmani së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, kanë marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Presidenti Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden.
Në postimin e saj, e para e shtetit të Kosovës shkruan “Aleancë që qëndron në themelet e shtetit tonë! Faleminderit Presidentit Biden dhe Zonjës së Parë Biden për mikpritjen dhe bashkëbisedimin!”. /Telegrafi/