Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Mal të Zi.
Osmani është pritur me nderime shtetërore nga homologu i saj, Milo Gjukanoviq.
Osmani ka thënë se e ardhmja e vendeve tona është në Bashkimin Evropian dhe së bashku do të punojmë për të realizuar këtë synim të qartë.
“Me Presidentin Gjukanoviq diskutuam për rëndësinë e koordinimit të përbashkët për ta forcuar partneritetin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe fuqizimin e përpjekjeve tona kundër tendencave anti-demokratike dhe destabilizuese në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani.
Osmani tha se tendencave të Rusisë dhe aleatit të saj, Serbisë për destabilizim të rajonit, duhet t`i kundërvihen të dy shtetet.
Presidentja ka theksuar se raportet në mes të vendeve tona janë të ndërtuara mbi frymën e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit dhe përkushtimit të dyanshëm për të ardhmen tonë të euroatlantike.
“Në takim, Osmani ka marrë mbështetjen e Presidentit Gjukanoviq për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por edhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Duke vlerësuar mbështetjen e Malit të Zi, Presidentja Osmani ka falënderuar homologun Gjukanoviq për kontributin e shtetit të tij gjatë vitit 1999, kur shkaku i luftës në këtë shtet u strehuan refugjatë nga Kosova”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Presidentes.
Osmani tha se kjo histori dhe e tashmja janë në funksion të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe se Mali i Zi është jo vetëm shtet fqinj, por edhe aleat i rëndësishëm për Kosovën.
Sipas presidentes Mali i Zi dhe Kosova janë partner në bashkëpunimin rajonal dhe se stabiliteti i të dy vendeve është në funksion edhe të stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.
“Të dy presidentët, kanë diskutuar edhe për zgjerimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Presidentja theksoi se komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka shërbyer si urë lidhëse ndërmjet dy vendeve dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në pavarësimin e Malit të Zi, ndërkaq komuniteti malazez në Kosovë poashtu është pjesë e rëndësishme e shoqërisë dhe shtetit tonë, duke vazhduar kontributin e tyre për Kosovën sovrane me të ardhme të qartë euro-atlantike”, thuhet në njoftim.
Në takim u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit jo vetëm në politikën e jashtme, por edhe në fushën e shkëmbimit ekonomik, tregtar, turizëm, arsim dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm. /Telegrafi/