Site icon Telegrafi

Osmani gjatë vizitës tek varri i Rugovës: Në këtë situatë, e rëndësishme që për çështje të interesit nacional të bashkohemi të gjithë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë sot se është e gatshme që të unifikojë skenën politike në Kosovë në mënyrë që vendi të përballojë sa më lehtë situatën e rënduar pas zhvillimeve të fundit të krijuara nga Specialja.

Këto komente Osmani i bëri gjatë homazheve tek varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Qytetarët nuk do ta falin askënd nëse në këtë kohë të rëndë për Kosovën, kur ne duhet të flasim njëzëri për krimet që i ka bëre Serbia në Kosovë, që ne të bëhemi peng i politikave ose dallimeve ditore. Prandaj, është me rëndësi që për çështje të interesit nacional të bashkohen të gjithë. Natyrisht, sa më përket mua, edhe në pozicionin e ushtrueses së detyrës së presidentit, unë do ta jap kontributin tim maksimal, por kjo siç e thash varet edhe nga vullnetin përfaqësuesve tjerë politik”, tha ajo.

“Për mua dhe besoj për gjithsecilin në këto kohë të vështira për vendin është me rëndësi që të vijmë të përkulemi dhe të shprehim nderimet tona për njerëzit të cilët ishin jo vetëm arkitekt të shtetit të pavarur dhe të lirë të Republikës së Kosovës. Por, në të njëjtën kohë ishin edhe simbol i urtisë, maturisë e mbi të gjitha simbol i bashkimit të të gjithëve rreth një kauze të vetme që ishte liria dhe pavarësia e vendit tonë”, tha Osmani.

“Prandaj, sot bashkë me bashkëpunëtorët e mi erdhëm që të nderojmë presidentin Rugova, themeltarin e shtetit të Kosovës, njeriu i cili nëpërmjet një politike të pashembullt arriti që t’i bashkojë të gjithë shqiptarët rreth një kauze të përbashkët, dhe në të njëjtën kohë arriti që në kohëra kur të gjithë do duhej të flisnin një zëri ndaj hegjemonisë serbe ta bashkojë atë zë dhe mbi të gjitha të sigurohet që ai zë të jehojë edhe në kancelaritë dhe zyrat më të rëndësishme të botës.

Pra, u sigurua që bota të dijë jo vetëm se ku është Kosova, por që bota ta marrë vesh për secilin krim që Serbia kreu në Kosovë. Prandaj, edhe jemi këtu për ta nderuar atë punë, për ta nderuar atë përkushtim, për ta nderuar atë sakrificë e mbi të gjitha për ta nderuar shembullin e bashkimit dhe unitetit të cilin e ndërtoi presidenti historik, Ibrahim Rugova”, tha ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version