Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhet në Bruksel, ku do të ketë takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe të Belgjikës.
Osmani pritet të takojë të martën presidentin e Parlamentit Evropian, David Sassoli, dhe komisionarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Sipas Presidencës, gjatë qëndrimit në Bruksel, Osmani do të takohet edhe me deputetët e Parlamentit Evropian që janë në Grupin e Miqësisë së Kosovës në Parlamentin Evropian: Rainer Wieland, zv.presidenti i PE-së, Lukas Mandl (EPP), Viola von Cramon- Taubade, raportuese për Kosovën në PE, Ilhan Kyuchyuk, nga Grupi Renew dhe Andrey Kovatchev, nënkryetar i EPP-së.
Ndërkaq të martën mbrëma, zonja Osmani do ta ketë një takim me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, ndërmjetësues në dialogun Prishtinë-Beograd.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Bruksel, Osmani të mërkurën do të takohet me presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve Eliane Tillieux dhe presidenten e Senatit të Belgjikës, Stéphanie D’Hose.
BE-ja i ka konfirmuar këto takime, por nuk ka dhënë hollësi rreth temave që pritet të diskutohen.
Sipas burimeve të BE-së, pritet që të flitet për situatën aktuale në Kosovë, për procesin zgjedhor, për përballjen me pandeminë e koronavirusit, si dhe për dialogun me Serbinë.
Kosova do të mbajë zgjedhje të parakohshme parlamentare më 14 shkurt.
Sa i përket këtij procesi zgjedhor, në BE janë shprehur më herët se presin që ai të jetë transparent, gjithëpërfshirës dhe në përputhje me standardet evropiane.
BE-ja pret që edhe pas zgjedhjeve, pa marrë parasysh se kush do ta formojë Qeverinë e ardhshme, Kosova të vazhdojë përkushtimin për dialog me Serbinë, të cilin e lehtëson vetë BE-ja.
Në takimet e Osmanit me zyrtarë të BE-së pritet të flitet edhe për ndihmën që i ofron Bashkimi Evropian Kosovës në përballje me pandeminë e koronavirusit, e sidomos për përgatitjen për fushatën e vaksinimit./Telegrafi/