Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se do të vazhdojnë të kenë takime me partnerin e koalicionit për t’u dakorduar për çështjen e heqjes së tarifës.
Osmani nuk ka komentuar takimin e së premtes, ku Isa Mustafa e Albin Kuri u takuan për disa orë në objektin e qeverisë për të diskutuar rreth kësaj çështje.
“Jemi taku të premten, do të takohemi prapë ditëve në vijim… nga e hëna do të mund të flasim më në detaje për këtë çështje”, tha ajo.
Për këtë është pyetur edhe kryeministri, Albin Kurti, i cili ka mohuar e flasë sot për çështjen e tarifës.
Të dy këta kanë marrë pjesë në shënimin e ditës ndërkombëtare të personave që përdorin karroca.
Derisa Kurti ka dhënë një propozim për heqjen e tarifës, Mustafa sot ka thënë se taksa duhet të hiqet ashtu siç po e kërkon SHBA.
Ai ka theksuar se taksa duhet hequr jo vetëm se po e kërkon partneri strategjik SHBA, por se janë të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës.
“Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës. Dëshiroj të besoj se mbledhja e nesërme e Kuvendit do ti japë përkrahje Qeverisë dhe Kryeministrit Kurti të hiqet tarifa. Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të”, ka thënë me tej. /Telegrafi/