Telegrafi

Osmani: Mosarritja e marrëveshjes me LVV-në, do të ishte gabim historik për vendin

Foto: ASil

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se sot nuk do të ketë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm për shkak të mungesës së deputetëve derisa paralajmëroi se një mbledhje e tillë do të mbahet të hënën.

“Pas zhvillimeve të 26 dhjetorit, ka qenë nevoja që organet e LDK të mblidhen edhe njëherë për të diskutuar për rrethanat e reja, takimet kanë qenë të ftuara për të premten dhe meqenëse një numër i deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë nuk janë në Kosovë takimet janë shty për të hënën. Të hënën do të ulemi dhe do të diskutojmë, do të shohim se cili është qëndrimi i kryesisë por mbi të gjitha qëndrimi i deputetëve”, ka thënë Osmani, shkruan Telegrafi.

Duke folur për marrëveshje të mundshme me LVV-në, Osmani tha se do të ishte gabim historik në rast se nuk do të ndodhë.

“Unë mendoj që do të ishte gabim historik nëse nuk ka marrëveshje në mes LVV-së dhe LDK-së. Unë e kam për detyrë vullnetin e qytetarëve deri në fund. Se çfarë mendojnë organet e LDK-së do ta shohim të hënën, por unë do të insistoj në këtë vendim”, ka thënë Osmani.

Sipas saj, këto ditë nuk ka pasur takime në mes të dy partive.

“Nuk janë takuar, pas takimit të së hënës pasi t’i përcaktojmë qëndrimet tona atëherë do të ketë takime të reja dhe të shohim se si do të procedohet. Nuk dua të paragjykoj e rëndësishme është që marrëveshja të arrihet dhe nuk kam mirëkuptim ndaj kujtdo qoftë që krijon pengesa ndaj vullnetit qytetar”, tha Osmani. /Telegrafi/