Telegrafi

Osmani mirëpret vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe shefin EULEX-it, gjeneral major Giovanni Pietro Barbano, me të cilët ka biseduar lidhur me zhvillimet e fundit lidhur me sigurinë në Kosovë dhe me theks të veçantë ne veri dhe në vijën kufitare me Serbinë.

Presidentja Osmani falënderoi komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it për bashkërendimin dhe bashkëpunimin e afërt me institucionet e sigurisë të Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, ajo mirëpriti vendimin e NATO-s për të shtuar numrin e ushtarëve në kuadër të KFOR-it si sinjal i qartë ndaj Serbisë që të heq dorë nga destabilizimi dhe rrezikimi i sigurisë në Kosovë, thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj që sfidat aktuale të sigurisë t`i tejkalojë me partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë. /Telegrafi/