Telegrafi

Osmani me ministrin Lipavsky: Është vendimtare që procesi i liberalizimit të vizave të përfundojë gjatë Presidencës çeke

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ministrin e Jashtëm të Republikës Çeke, Jan Lipavsky, ndërkaq fokusi kryesor i takimit ishte çështja e liberalizimit të vizave.

Osmani ka falënderuar ministrin Lipavsky për angazhimin konstruktiv të Çekisë për t’i dhënë fund këtij procesi përgjatë Presidencës çeke.

Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se vonesa e liberalizimit të vizave për popullin e Kosovës është një padrejtësi e madhe.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që liberalizimi i vizave të jetë në agjendë, prandaj llogarisim në mbështetjen çeke në këtë aspekt si bartëse e Presidencës së Këshillit të BE-së”, ka theksuar presidentja.

Krahas temës së liberalizimit të vizave, Osmani ka folur edhe për nevojën e avancimit të rrugës evropiane për vendin tonë.

Ajo ka theksuar bashkërendimin e plotë të politikave të jashtme dhe të sigurisë së Kosovës me ato të Bashkimit Evropian si dëshmi e përkushtimit të institucioneve dhe popullit të Kosovës për integrim evropian.

Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka përmendur që Kosova do të dorëzojë këtë vit aplikimin për statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me dialogun me Serbinë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive dhe se zgjidhja e vetme që i kontribuon paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm është një proces i përqendruar në njohje të ndërsjellë. /Telegrafi/