Site icon Telegrafi

​Osmani merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begaj

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të Institucionit të Presidentit, merr pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.

Osmani do të merr pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën te presidenti i ri, Bajram Begaj.

Ish-ushtaraku Bajram Begaj vjen këtë të diel në krye të shtetit, teksa 400 të ftuar do të jenë të pranishëm në ceremoninë e marrjes së detyrës.

Mes të pranishmëve, do të ketë shefa shtabi të ushtrive të NATO-s, me të cilët Begaj ka bashkëpunuar kur ishte në krye të Shtabit të Përgjithshëm.

Mes të ftuarve do të ketë mjeke, akademikë dhe pak politikanë. Risia e kësaj ceremonie është zhvillimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe jo te hyrja e godinës se Presidencës.

Të dy presidentët, ai në largim dhe presidenti i ri do zënë vend në tribunë. Ekzekutimi i himnit kombëtar do të shoqërohet nga 21 të shtëna topi, e menjëherë më pas kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, do t’i dorëzojë presidentit Begaj, Kushtetutën e vendit.

Presidenti i ri i shtetit pritet të mbajë fjalën e rastit, duke shënuar zyrtarisht largimin nga detyra të Ilir Metës.

Exit mobile version