Në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani theksoi angazhimin e vendit për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tij territorial përballë përpjekjeve destabilizuese të Serbisë dhe aleatëve të saj në Kremlin.
Ajo theksoi se “Kosova nuk ka pëllëmbë toke për të falur”, duke nënvizuar se mbrojtja e vendit është një betim i përjetshëm, pas ngjarjeve tragjike në Banjskë më 24 shtator 2023.
Presidentja Osmani përkujtoi se heroizmi i Afrim Bunjaku dhe shokëve të tij kishte dëshmuar forcën e popullit të Kosovës në mbrojtjen e atdheut, duke shtuar se “nuk ka llogaridhënie e as drejtësi nga ana e Serbisë”, duke iu referuar agresionit të vazhdueshëm nga ky shtet.
Presidentja Osmani e kritikoi ashpër Serbinë për vazhdimin e minimit të përpjekjeve për paqe dhe stabilitet në rajon, duke shërbyer agjendës së Rusisë. “Serbia vazhdon minimin e përpjekjeve të vendeve tjera të rajonit për paqe, siguri e stabilitet të qëndrueshëm,” theksoi ajo.
Në aspektin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Osmani theksoi se “Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit”.
Presidentja garantoi se do të bëhet çdo përpjekje për të siguruar që nuk do të ketë “asnjë hap prapa, por vetëm hapa përpara” në çështjet e të drejtave të shqiptarëve.
“Shqiptarët janë popull konstituiv në Maqedoninë e Veriut me kontribut determinues në demokratizimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit, prandaj çdo përpjekje për të minuar të drejtave të tyre do të përballet me kundërshtim të vendosur dhe unitet të palëkundur nga shqiptarët gjithandej Ballkanit perëndimor”
Ajo siguroi gjithashtu se Kosova dhe Shqipëria do të vazhdojnë koordinimin për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve dhe për të avancuar në integrimin euro-atlantik.
Presidentja Osmani gjithashtu kritikoi mënyrën e udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga Bashkimi Evropian, duke theksuar se ky proces ka qenë “komplet i pabalansuar,” me një trajtim të padrejtë ndaj Kosovës.
Ajo përmendi faktin që në tavolinën e dialogut, “shteti që kreu agresion ndaj Kosovës nuk është nën masa,” ndërsa Kosova, që ka vuajtur nga agresioni, është nën masa, si dëshmi e kësaj padrejtësie.
Në lidhje me propozimet e saj për përmirësimin e dialogut, Osmani shpjegoi se ajo ka kërkuar që “drafti i asociacionit të fillohet të diskutohet me SHBA-të,” për të siguruar një qasje më të drejtë dhe për të ruajtur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ajo e mohoi kategorikisht se po kërkonte themelimin e asociacionit, duke theksuar se “më shumë i kam besuar vetvetes sonë dhe Amerikës, sesa disa burokratëve nga shtetet jonjohëse.”
Në fund, Presidentja Osmani e përmendi mundësinë që, nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen, Kosova mund të shqyrtojë zbatimin e pjesës së saj të marrëveshjes “vetëm në shkëmbim të garancive ndërkombëtare që përfshijnë anëtarësimin në NATO e organizata ndërkombëtare.”
Ajo theksoi se për të, “më shumë sesa nënshkrimi i Presidentit të Serbisë ka rëndësi nënshkrimi i Presidentit të Amerikës”. /Telegrafi/