Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se fitorja e Ukrainës është fitore e Evropës.
Përmes një shënimi në rrjete sociale, Osmani ka thënë se fitorja e Ukrainës ndaj Rusisë “është fitore ndaj atyre që duan ta destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe të rikthejnë mendësinë e dhunës e shkatërrimit”.
Sipas saj fitorja e Ukrainës “është fitore e lirisë”.
Ajo ka shprehur mbështetjen e pa rezervë të Kosovës ndaj Ukrainës përballë këtij agresioni rus.
“Prandaj Kosova do të qëndrojë me Ukrainën deri në fitore”, ka përfunduar Osmani.
Në prag të samitit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte deklaruar për gazetarët se është e bindur që fitorja e Ukrainës kundër Rusisë dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Kievi “do të vijnë bashkë”.
Samiti “Ukrainë – Evropa Juglindore”, u mbajt sot në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Në samit, që u mbajt me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, së bashku me disa liderë të tjerë të Evropës Juglindore.
Pas samitit, Zelensky paralajmëroi shtetet e Ballkanit Perëndimor se Rusia do të bëjë gjithçka për të destabilizuar situatën./Telegrafi/