Site icon Telegrafi

Osmani: Kosova po përballet me kërcënime nga Serbia, me Shqipërinë kemi qëllim të përbashkët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është shprehur sot se si asnjëherë më parë Kosova e pavarur po përballet me sfidën më të madhe, me kërcënime për sigurinë e kombit.

Në fjalën e saj, gjatë konferencës së përbashkët me homologun shqiptar, Bajram Begaj në Tiranë, Osmani tha se Serbia, është një fqinj agresiv që vazhdon me logjikën për të zhdukur nga faqja e dheut Kosovën.

“Kosova përballet me sfidën më të madh të sigurisë, e them se kur kemi përballje me sfida të tilla, agresion të përditshëm nga ana e një fqinji agresiv që vazhdon me logjikën e zhdukjes sonë nga faqja e dheut, është detyrim që interesat kombëtare të jenë para së gjithash”, tha Osmani.

E parë në këtë prizëm, ajo tha se nuk ka asnjë dyshim që Shqipëria dhe Kosova kanë një qëllim të përbashkët, ajo që mund t’i ndryshojë është strategjia.

Lexo po ashtu Begaj pret Osmanin: Shqipëria mbështet Kosovën, më shumë bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar

“Nuk kam asnjë dyshim që qëllimin e kemi të përbashkët, nëse ndonjëherë kemi ndryshim në strategji, duhet të ulemi si një familje, sepse ne jemi si një familje. Edhe ndonjë moment i vogël kalohet, pa ndonjë problem të madh”, tha Osmani.

Për rrjedhojë, ajo u kujdes që të theksonte se marrëdhëniet Kosovë Shqipëri janë shumë të mira.

Më tej, Osmani u shpreh se kryefjalë e kësaj vizite është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme.

“Shoh mikpritje dhe mbështetje të palëkundur ndaj Kosovës. Kjo mbështetje nuk ka munguar edhe në periudhat më të rënda dhe në periudhën e shtetformimit. Diskutuam për sfidat që na presin, të cilat do të duhet t’i kalojmë së bashku.

Kombi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet faktor stabiliteti në rajon. Ne kemi nevojë për mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë që të jetë zëri ynë në të gjitha instancat ku Kosova nuk ka anëtarësim. Dua ta falënderoj presidentin Begaj për angazhimin e pashoq në arenën ndërkombëtare duke kërkuar me zë të fuqishëm që Kosova ta ketë vendin e merituar në çdo organizëm ndërkombëtar.

Kryefjala e vizitës sime është bashkërendimi për një strategji dhe veprim të unifikuar të politikës së jashtme. Dy muaj më parë, shtetet tona nënshkruan 13 marrëveshje në fusha të ndryshme. Në dy vitet e fundit janë nënshkruar 41 marrëveshje që synojnë lehtësimin e jetesës së qytetarëve në të dyja shtetet”, tha Begaj. /Telegrafi/

Exit mobile version