Telegrafi

Osmani: Kosova e gatshme të rris bashkëpunimin me Britaninë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të dërguarin e kryeministrit britanik për tregtinë për Ballkanin Perëndimor, deputetin Martin Vickers.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, të cilat u vlerësuan të shkëlqyeshme me mundësinë e thellimit të mëtejme të tyre.

Osmani ka vlerësuar ndihmën e Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, duke shfaqur shpresë për intensifikimin e saj.

Në këtë kontekst, ajo ka shfaqur gatishmërinë për rritjen e bashkëpunimit në sferën e ekonomisë dhe mbrojtjes. Sipas saj është mirë që lidhjet historike ndërmjet dy shteteve të zbërthehen në mundësi ekonomike.

Më tej, Osmani i ka bërë të ditur deputetit Vickers se institucionet kosovare kanë bërë përparim në sundimin e ligjit dhe krijimin e mjedisit të përshtatshëm për investitorët e huaj.

Vickers është pritur në takim mëngjesin e kësaj të hëne edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. /Telegrafi/