Site icon Telegrafi

Osmani: Koalicionin me Vetëvendosjen e vendosi populli i Kosovës

Kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani tregoi se grupet punues të Vetëvendosjes dhe LDK-së duket se kanë normalizuar programet e dy partive politike që janë ideologjikisht të kundërta.

Sipas saj është populli i Kosovës, i cili kërkoi që opozita të qeveriste.

“Zëri i qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit, ishte për një ndryshim duke sjellur opozitën në pushtet. Vërtet kemi dallime por kemi vendosur ti tejkalojmë. Kur ka vendosmëri natyrisht që një gjë e tillë arrihet. Në radhë të parë vjen vullneti i qytetarëve për këtë ndryshim që vjen përmes bashkimit të opozitës së djeshme”, tha Osmani, në  intervistë për emisionin Opinion në TV Klan.

“Të dy partitë duhet të ulen dhe të normalizojnë programin në radhë të parë. Ne tani po e dëshmojmë këtë, grupet tona që janë ulur të punojnë kanë harmonizuar gati 90 përqind të programeve tona. Përkundër faktit që jemi me ideologji të ndryshme, problemet e Kosovës janë të njëjtat. Kjo na ka sjellur një mundësi që të arrijmë një marrëveshje”.

Osmani gjithashtu tregoi pse nuk u bë koalicioni parazgjedhor me Vetëvendosjen.

“Ne nuk e pamë të nevojshme për shumë arsye për shkak se koha ishte jashtëzakonisht e shkurtër nga momenti i nominimit tim. Po flasim për dy parti që ideologjikisht janë të ndryshme”, tha ajo.

Exit mobile version