Site icon Telegrafi

Osmani kërkon koordinim me komandantin e ri të KFOR-it, në përballje me kërcënimet e hapura nga Serbia

Pas marrjes së detyrës së komandantit të KFOR-it, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, priti në takim gjeneralmajor Özkan Ulutaş.

Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi për marrjen e detyrës së komandantit të KFOR-it duke shprehur besimin e plotë për bashkëpunim të ngushtë në funksion të përmbushjes së synimeve të përbashkëta për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon.

“Gjithashtu, Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e koordinimit në përballjen me sukses ndaj sfidave e kërcënimeve të hapura nga Serbia që tentojnë të cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe integritetin territorial të vendit, veçanërisht pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të vendit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentit.

Lexo po ashtu Osmani: Sulmi në Banjskë ishte i përgatitur nga Serbia, i ekzekutuar nga grupe terroriste e paramilitare

Në këtë drejtim, Presidentja shprehu mirënjohjen për përforcimin e trupave të KFOR-it, të cilat po i përkrahin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.

Sipas këtyre raportimeve, nga ana e tij, Gjeneral Ulutaş, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për pritjen nga ana e Presidentes Osmani, duke theksuar se do të bashkëpunoj ngushtë me Presidenten Osmani dhe të gjitha institucionet e tjera vendore për të realizuar përgjegjësinë e tij në shërbim të sigurisë dhe mbrojtjes së paqes dhe stabilitetit bazuar në mandatin e misionit të KFOR-it në Kosovë./Telegrafi/

Exit mobile version