Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë një postim në llogarinë e saj në Twitter duke falënderuar eurodeputetët që ishin zë i fuqishëm brenda BE-së për heqjen e vizave për Kosovën.
“Për të gjithë eurodeputetët aktualë dhe ish-deputetë që kanë qenë përkrahësit më të vendosur në arritjen e lirisë së vizave për Kosovën: Faleminderit! Faleminderit që jeni zëri i popullit të Kosovës në Parlamentin e BE-së”, ka shkruar Osmani, duke e përmendur Ulrike Lunacek, Tanja Fajon, Lukas Mandl, Viola VOn Cramon, Thijs Reuten, Ilhan Kyuchyuk.
To all current & former MEPs who have been the staunchest advocates in achieving visa lib for Kosovo: Thank you!
Thank you for being the voice of the people of Kosovo at the EU Parl.@UlrikeLunacek @tfajon @lukasmandl @ViolavonCramon @thijsreuten, @ilhankyuchyuk & many more. pic.twitter.com/mGIQvqdM7o
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) April 19, 2023
Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u mundësuar qytetarëve lëvizje të lirë në Zonën Schengen më së voni nga 1 janari i vitit 2024.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.
Pas ceremonisë së nëshkrimit, raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit që kanë pasaporta të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen. /Telegrafi/